Kina: Kriza siriane të zgjidhet nga sirianët

31/10/2012 21:00

Një delegacion ndërkombëtar i ngarkuar me ndërmjetësimin e një paqeje për konfliktin sirian u takua pasditen e së mërkurës me ministrin e Jashtëm kinez, për të debatuar për rrugët e mundshme të përfundimit të luftës civile që deri tani i ka marrë jetën më shumë se 35 mijë njerëzve.

Lakhdar Brahimi, i dërguari special i OKB-së dhe kryenegociatori i çështjes siriane, u prit në Pekin me kryediplomatin kinez Yang Jiechi.

Deri tani, Kina dhe Rusia kanë bllokuar disa nisma të Këshillit të Sigurimit në OKB për të dënuar ose izoluar regjimin e presidentit Bashar al-Assad.

Në takimin me Brahimin, Yang u shpreh se “e ardhmja e Sirisë duhet të përcaktohet nga vetë sirianët. Sovraniteti, pavarësia dhe tërësia territoriale e vendit duhet të respektohen”.

Yang përsëriti qëndrimin e përsëritur të Kinës, duke theksuar se “zgjidhja duhet të jetë paqësore, pragmatike dhe politike. Të gjithë anëtarët e përfshirë në këtë çështje duhet të krijojnë kushtet për të gjetur një zgjidhje politike, pragmatike dhe në përputhje me normat ndërkombëtare”.

“Të gjitha palët duhet të mbështesin punën ndërmjetëse të misionit special të OKB-së, duhet të mbështesin vazhdimin e përpjekjeve diplomatike dhe atyre humanitare”, shtoi Yang.

Nga ana e tij, Brahimi kërkoi vazhdimin e përpjekjeve për unifikimin e qëndrimit të pesë vendeve me të drejtë veto në Këshillin e Sigurimit, për të gjetur një qasje të unifikuar ndërkombëtare ndaj krizës siriane.

Top Channel