Ja çfarë la Sandy pas

31/10/2012 00:00

Stuhia historike Sandy, më shkatërruesja në dekada që përplasej mbi Shtetet e Bashkuara, ka marrë 50 jetë njerëzish, miliona vetë kanë mbetur pa energji elektrike e transporti është i bllokuar në një pjesë të mirë të zonave veri-lindore.

18 prej vdekjeve u regjistruan në qytetin e Nju Jorkut. Edhe pse e dobësuar, forca e Sandy-t nuk është fashitur krejtësisht: stuhia po vazhdon rrugën drejt veriut e pritet të sjellë sërish reshje të dendura shiu e përmbytje.

Metrotë e përmbytura të Nju Jorkut mbeten të mbyllura deri në një lajmërim tjeter. Mbi 18.000 fluturime janë anuluar edhe pse në Nju Jork e Nju Xhersi një numër i kufizuar avionësh kanë rinisur udhëtimet. Në të dy këto shtete presidenti Obama shpalli gjendjen e katastrofës natyrore, çka i hap rrugën fondeve federale që synojnë riparimin e dëmeve miliarda dollarëshe.

Presidenti, që ka pezulluar fushatën zgjedhore, viziton sot Nju Xhersin për të parë nga afër shkallën e dëmeve. Ai do të takohet me guvernatorin Kris Kristi dhe do të falenderojë punëtorët e emergjencës që luftojnë për të mposhtur këtë fatkeqësi.

Të paktën 8 milionë shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të stuhisë. Sandy solli një baticë prej katër metrash në Manhatan, edhe më e lartë se rekordi i mëparshëm i tre metrave i regjistruar gjatë uraganit Donna në 1960-ën. 

Kjo ishte një stuhi shkatërruese, mbase më e keqja që kemi parë ndonjëherë, tha kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg. Më herët gjatë përplasjes mbi Karaibe, Sandy shkaktoi gati 70 vdekje.

Tregu i aksioneve New York Stock Exchange qëndroi mbyllur të martën për një ditë të dytë rresht, duke shënuar kështu herën e parë që nga viti 1888 që këmbimet tregtare janë pezulluar për dy ditë me radhë për shkak të motit. New York Stock Exchange hapet sot.

Stuhia e fuqishme goditi më tej në brendësi të vendit 1 mijë e 500 kilometra nga brigjet lindore, duke sjellë në disa zona si West Virginia borë me trashësi mbi 1 metër.

Top Channel