Kosova për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një shtet i pavarur dhe për këtë nuk ka se çfarë të bisedohet dhe se kufijtë në Evropë nuk do të ndryshojnë.

Ky ka qenë mesazhi që Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, i ka dërguar politikës serbe, por duke theksuar se mund të përmirësohet jeta e njerëzve dhe të arrihet shumë në tejkalimin e problemeve.

Clinton dhe baronesha Catherine Ashton, shefe për politikën e jashtme dhe sigurimit e Bashkimit Evropian, kanë përfunduar vizitën e tyre në masa të rrepta sigurie me mbi 4000 policë dhe agjentë të ndryshëm sigurimesh, ndërsa kanë takuar krerët e shtetit serb.

“Ne duam që njerëzit në Serbi ta dinë se përkrahim fuqishëm integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”, ka thënë sekretarja Clinton, pas takimit me Dacic dhe Nikolic.

Baronesha Ashton, ka theksuar se askush nuk është duke i paraqitur Serbisë kushte të reja, por dialogu me Prishtinën është i rëndësishëm sikurse dhe zbatimi i marrëveshjeve.

Kryeministri serb, Ivica Dacic, nga ana tjetër ka theksuar se Serbia do të përmirësojë marrëdhëniet me Prishtinën.

“Serbia nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, por do të bëj gjithçka për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën për shkak të integrimeve të përbashkëta në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Dacic.

Vizita e Clinton e Ashton ka irrituar Partinë Radikale të Serbisë e cila ka protestuar para presidencës me parrullat “Kosova është Serbi”.

Top Channel