Pedrosa: Jam krenar për mënyrën si luftuam

30/10/2012 19:00

Dani Pedrosa (Honda) është shprehur se ndihet krenar për mënyrën se si skuderia e tij luftoi deri në fund për fitimin e titullit kampion në Moto GP, titull që u fitua nga Jorge Lorenzo (Yamaha) në garën e Australisë.

“Ka qenë një sezon ku unë kam mësuar dhe jam përmirësuar shumë në aspektin personal dhe profesional. Luftuam për titullin deri në fund dhe tani që mbetet vetëm një garë deri në përfundim, bilanci i sezonit është pozitiv. Jam krenar për punën që kanë bërë në skuderi. Fituam gjashtë gara dhe u munduam të shfrytëzonim të gjitha shanset që na u paraqitën”, shkroi piloti spanjoll në blogun e tij në faqen e skuderisë Repsol Honda.

Më tej ai shtoi: “Na mbetet edhe gara e Valencias që do e përgatisim njësoj si të tjerat edhe pse nuk kemi më objektiva. Do të përpiqemi të fitojmë. Shpresoj që të fitoj garën time të shtatë për këtë sezon në mënyrë që t’ia dedikoj të gjithë atyre që më kanë mbështetur.”

Në fund, Pedrosa uroi edhe një herë tjetër Jorge Lorenzon “për kampionatin e fituar me meritë”.

MotoGP, Lorenzo shpallet kampion

Casey Stoner tregoi që mbetet i pamposhtur në shtëpinë e tij. Për të gjashtin vit radhazi, piloti australian i Hondas fitoi garën për çmimin e madh të Australisë. Por gëzimi më e madh i takoi spanjollit të Yamahas Jorge Lorenzo që një garë nga fundi i kampionatit u shpall kampion.

Stoner e nisi garën nga vendi i parë falë kohës më të mirë të regjistruar në provat e ditës së shtunë. Ndërkohë, Lorenzo u nis i dyti dhe Pedrosa i treti. Kjo nisje parashikonte një garë të zjarrtë mes dy pilotëve spanjollë, por nuk ndodhi kështu, Pedrosa u rrëzua në nisje të garës.

Pas këtij episodi, piloti i Yamahas garoi i qetë për vendin e dytë që i siguronte pikët e nevojshme për t’u shpallur kampion bote një garë para përfundimit të kampionatit. Dhe kështu ndodhi, Stoner përfundoi i pari, Lorenzo i dyti, Stoner gëzon fitoren në shtëpinë e tij, Lorenzo titullin kampion bote.

Gara e fundit e MotoGP-së do të zhvillohet në 11 nëntor dhe do të shërbejë më shumë për statistikë.

1)    Lorenzo kryeson me 350 pikë (kampion)
2)    Pedrosa  307
3)    Stoner 238
4)    Dovizioso 208
5)    Bautista 165

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA