Greqia arriti një marrëveshje me kreditorët e saj mbi shtyrjen në kohë të realizimit të disa masave shtrënguese dhe lehtësimin e disa të tjerave, të domosdoshme për të siguruar këstet e reja të huasë, e cila lejon vendin që t’i shpëtojë falimentimit.

Parlamenti duhet të votonte për paketën, plus buxhetin, gjatë së martës, por si rrjedhojë e zgjatjes së negociatave duket se kjo do të ndodhë tashmë javën e ardhshme.

Megjithatë, mediat ndërkombëtare siguruan se bisedimet e gjata dhanë rezultat dhe Athina arriti të merrte nga kreditorët miratimin për të lehtësuar disa prej masave shtrënguese.

Më parë, kryeministri Samaras pati deklaruar: “Nëse kjo marrëveshje do të aprovohet dhe buxheti do të votohet, atëherë Greqia përfundimisht sigurohet për qëndrimin e saj në monedhën euro dhe futet në rrugën e duhur të daljes nga kriza”.

Megjithatë, buxheti i ri shtetëror planifikon edhe 13,5 miliardë euro shkurtime të mëtejshme edhe pas lehtësimit të kushteve.

Detajet e buxhetit të vitit të ardhshëm të Greqisë janë ende të vagullta, por pritet që vendi të nxjerrë për privatizim pothuajse të gjithë asetet shtetërore që ende nuk janë privatizuar.

Top Channel