Fundi i spekulimeve për gruan e diktatorit

30/10/2012 16:10

Zonja e Parë e Koresë së Veriut u rikthye në publik për herë të parë pas dy muajsh, duke i dhënë fund spekulimeve të ndryshme në lidhje me shkaqet e mungesës së saj.

Ri Sol-ju, bashkëshortja e “liderit të dashur” Kim Jong-un, u shfaq përkrah tij në një ndeshje futbolli gjatë së hënës.

Mungesa e saj e gjatë bëri që të përflitej për mundësinë e një krize në çift ose për ndarjen e shkaktuar nga ndonjë arsye politike, përfshi edhe arrestimin e mundshëm të Zonjës së Parë.

Korea e Veriut konfirmoi se Ri ishte bashkëshortja e Kim vetëm në korrik, kur u pa për herë të parë përkrah tij, ndërsa detajet e martesës mbeten ende të paqarta, ndonëse besohet se ajo ishte një këngëtare që tërhoqi vëmendjen e diktatorit gjatë një festivali.

”Marshalli Kim Jong-un, lideri suprem i partisë dhe popullit, u ul në stadium i shoqëruar nga gruaja e tij, Ri Sol-ju. Në momentin e shfaqjes së tij në publik, një duartrokitje e rrufeshme gjëmoi në stadium”, shkruhej në një njoftim të dhënë të martën në Agjensinë Zyrtare të Lajmeve të Koresë së Veriut, “KCNA”, përkrah një fotoje të publikuar nga kjo ngjarje.

Kim Jong-un trashëgoi pushtetin në shtetin më të izoluar të botës nga babai i tij, Kim Jong-il, i cili ndërroi jetë në dhjetor 2011.

Ndonëse u besua fillimisht se 28-vjeçari do të udhëhiqte vendin drejt një hapje të ngadaltë, shpejt këto shpresa u zëvendësuan nga faktet gjithmonë e në shtim se në fakt, diktatorët vetëm sa u zëvendësuan dhe se djali i Jong-il është po aq tiran sa edhe babai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA