Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ritheksoi se festimet për 100-vjetorin e pavarësisë nuk duhet të sjellin asnjë rivalitet midis Tiranës dhe Vlorës, ndërsa ripërsëriti propozimin e tij për të thelluar rishikimin e historisë.
“Nuk po krijohet asnjë rivalitet midis kryeqytetit dhe qytetit të pavarësisë, por Tirana si kryeqytet i të gjithë shqiptarëve, është e natyrshme që të jetë në qendër të të gjithë festimeve. Në kryeqytet, në ditën e pavarësisë do të jenë të pranishëm edhe shumë diplomatë dhe personalitete të huaj, prandaj është e natyrshme që Tirana të jetë qendra e festimeve”, deklaroi Berisha, i cili u thellua në këtë temë duke shtuar: “Të gjithë ata që duan të përdorin këtë argument për qëllime elektorale, i kujtoj se Vlora ka marrë dy herë më shumë fonde se Bashkia e Tiranës gjatë kësaj qeverisje”.
Përsa i përket nismës për rishikimin e pavarësisë, kryeministri kërkoi që të hidhet dritë mbi figura të “pluhurosura” si rilindasit Josif Bageri, Iljaz Pashë Dibra dhe shumë të tjerë.
Në këtë kuadër, kryeministri propozoi ngritjen e një përmendoreje për hartuesin e himnit kombëtar, Asdrenin dhe përjetësimin e 100-vjetorit të pavarësisë nëpërmjet emërtimit me këtë emër të tunelit të rrugës Tiranës-Elbasan dhe autostradës Levan-Vlorë.
Në fjalimin e tij në kuadër të mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Festimet e Pavarësisë, Berisha i kushtoi vëmendje edhe ekspozitës së Partisë Socialiste në Bruksel, me foto dhe harta të rralla nga historia e Shqipërisë.
“Ishte një nismë e shkëlqyer dhe do ta doja shumë ta përgëzoja, por nuk mund ta bëj, pasi Edi Rama duke përdorur figurën e Ismail Qemalit, shkoi në Bruksel për të kritikuar qeverinë Berisha dhe jo për të folur për historinë”, komentoi kryeministri.
Megjithatë, Berisha vlerësoi dhe përkrahu propozimin e socialistëve për ngritjen e një flamuri shqiptar në të gjithë banesat brenda vendit.
Mbledhja e zhvilluar në selinë e Kryeministrisë, në Tiranë, u mbyll duke kujtuar itinerarin që do të ndjekin festimet, të cilat do të përfshijnë edhe trojet shqiptare jashtë kufijve kombëtare, në Kosovë, Maqedoni dhe diasporë.
Aleanca Kuq e Zi: Kryeministri po vjedh idetë tona
Menjëherë pas mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, Aleanca Kuq e Zi reagoi ashpër për shtyp ndaj fjalës së kryeministrit, të akuzuar për “vjedhjen” e ideve dhe nismave të AK-së.
Duke iu referuar deklaratës së Berishës, që përgëzoi Partisë Socialiste dhe demokratët e Vlorës për përpunimin e idesë së vendosjes së një flamuri në çdo ballkon e dritare për festimet e 100-vjetorit, AK kujtoi se kjo nismë është propozuar shumë kohë më parë prej kësaj lëvizje, në kuadër të fushatës “një flamur në çdo dritare”.
Në deklaratën e AK-së, shkruhej: “Berisha, i konsumuar në ide dhe plak në politikë”.
Top Channel