Ministria e Jashtme greke reagon pas ngjarjes në Këlcyre ku anëtarë dhe simpatizantë të Aleancës Kuq e Zi protestuan kundër hyrjes në Shqipëri të ekstremistëve të “Agimit të Artë”.

Në një njoftim për shtyp, gjatë mbrëmjes së të hënës, zëdhënësi i kësaj ministrie, dënoi ashpër ngjarjet e së dielës dhe sulmin ndaj përfaqësuesve të Greqisë në ceremoninë përkujtimore.

Delavekuras shprehu shqetësimin e Athinës për sulmet që qarqet ekstremiste i bënë makinës së Ambasadorit grek në Tiranë si dhe automjeteve të pjesëmarrësve të tjerë në meshën përkujtimore në Këlcyrë.

“Grupe ekstremiste u përpoqën të pengojnë zhvillimin e ceremonive përkujtimore për të rënët e luftës. U desh ndërhyrja e policisë shqiptare për shmangien e përshkallëzimit të situatës. Ngjarje të tilla të pa precedent tentuan të pengojnë zhvillimin e ceremonisë dhe kërcënuan sigurinë e familjarëve dhe përfaqësuesve të qeverisë greke në Këlcyrë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.

“Përgjegjësit për ngjarjet e së dielës, duhet të marrin një mesazh të  qartë se ky vendim shpreh vullnetin e dy popujve dhe qeverive tona, ndaj është i pakthyeshëm”, përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme greke.

Top Channel