Leverkuseni i sjell humbjen e parë Bayernit

29/10/2012 00:00

Bajerni i Mynihut ndalet më në fund në kampionatin gjerman të futbollit. Ai që ndërpreu marshin e skuadrës bavareze ishte Bajer Leverkusen që gjunjëzoi skuadrën e drejtuar nga Jup Hejnkes në Alianx Arena me rezultatin 2-1.

Leverkusen kaloi në avantazh në fundin e pjesës së parë me Kisling. Në 45 minutat e dyta, Bajerni i Mynihut u hodh në sulm për të barazuar rezultatin dhe ia arriti qëllimit kur kishin mbetur 12 minuta nga fundi i saj me Mario Manxhukiç. Ky gol u dha zemër bavarezëve që kërkuan fitoren, por në momentin më të mirë të tyre, Bajer Leverkusen i çoi shifrat në 2-1 me Sam, që u ndihmua edhe nga devijimi i Zherom Boateng.

Ajntrahti i Frankfurtit humbi mundësinë për t’u rikthyer në vendin e dytë të Bundesligës gjermane pasi u mund në ndeshjen e javës së nëntë nga Shtutgarti në fushën e këtij të fundit 2-1. Skuadra vendase kaloi në avantazh në minutën e 6 me Gentner, por Ajntrahti barazoi në të 67 me Majer. Në fundin e takimit, Shtutgarti shënoi golin e fitores me anë të Ibiseviç dhe tashmë e sheh veten në vendin e tetë me 12 pikë.

Për tu theksuar është se në këtë sfidë arbitri i ndeshjes anuloi në total 4 gola për të dyja ekipet dhe të gjitha për pozicion jashtë loje të futbollistëve të tyre.

Në ndeshjen tjetër të kampionatit gjerman të futbollit, Hanovëri u mund në fushën e tij nga Borusia Mynshengladbah me rezultatin 3-2.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA