Buxheti i Kosovës për vitin 2013 do të jetë 1.6 miliardë euro. Kështu parashihet në Projektligjin për Buxhetin e Kosovës, që të hënën është miratuar nga qeveria e Kosovës.

Të hyrat për vitin 2013 parashihet të jenë 1 miliard e 423 milionë euro, ndërkaq shpenzimet pritet të jenë 1 miliard e 586 milionë euro.

Defiçiti prej 163 milionë eurosh, sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, do të mbulohet nga bartjet e këtij viti. Sipas tij, në bazë të vlerësimeve, Kosova pritet të ketë një rritje ekonomike 4.5% për vitin e ardhshëm.

“Ne presim që edhe në vitin 2013 dhe në vitet në vijim, ekonomia e Kosovës të vazhdojë me ritmet e saj pozitive të rritjes. Në të vërtetë, ne presim që edhe në vitin 2013, norma e rritjes ekonomike të jetë ndër më të lartat në rajon, 4.5%, falë projeksioneve tona për rritje të konsumit, investimeve dhe eksporteve”, ka deklaruar Hamza.

Sipas Hamzës, çmimet do të rriten me 1.5%, e që sipas tij është një shifër e ulët. Po ashtu, ministri Hamza ka thënë se në këtë projektligj janë ndarë mjetet financiare për autostradën Vërmicë-Merdarë dhe se është ndarë edhe fondi për autostradën e re Prishtinë-Shkup.

Aty është paraparë edhe rritja e pensioneve. Ndërkaq, i pyetur nëse është paraparë edhe ngritja e pagave për mësimdhënësit, Hamza nuk e pohoi këtë.

“Ne presim të shohim se cilat do të jenë prioritetet dhe cila do të jetë deklarata e prioriteteve të qeverisë për vitet vijuese dhe sigurisht që ne do t’i marrim në konsideratë dhe buxhetin do ta zhvillojmë mbi bazën e deklaratës së prioriteteve. Pra, në atë moment kur ne do t’i kemi prioritetet konkrete dhe të shkruara, do t’i reflektojmë ato në proçeset e ardhshme buxhetore. Rritja e pagave është prioritet i qeverisë, mirëpo ne presim të dimë se cili është momenti i fillimit të implementimit”, ka thënë Hamza.

Projektligji i miratuar të hënën në mbledhjen e qeverisë, që sipas zyrtarëve qeveritarë është bërë në pajtim të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës që do të marrë miratimin përfundimtar.

Top Channel