Itali, “grusht” i ri për Berlusconin

29/10/2012 21:15

Partia e ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi, mori një goditje të fortë, duke humbur në zgjedhjet rajonale në Siçili, dikur bastion i mazhorancës.

Me më shumë se gjysmën e votave të numëruara, kandidati i qendrës së majtë, Renato Crocetta, pritet të emërohet si guvernatori i ri i vendit.

Rezultatet vijnë pas dënimit të një jave më parë të ish-kryeministrit për mashtrim me taksat, që u pasua nga kërcënimi i tij për të hequr mbështetjen nga qeveria aktuale e Mario Montit.

Vota në Siçili konsiderohej nga ekspertët politikë si shumë domethënëse, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-s.

Berlusconi ka përjashtuar mundësinë që të udhëheqë PDL-në (Il Popolo della Liberta) në zgjedhjet e ardhshme, por ka theksuar se do të mbetet në politikë.

Sekretari i partisë, Angelino Alfano, është konsideruar nga mediat italiane si pasardhësi i Berlusconit në krye të PDL-së, por rezultatet e arritura në Siçili, vendlindjen e Alfanos, mund të minojnë pozitat e tij.

Siçilia konsiderohet prej kohësh si një bastion i së djathtës. Në vitin 2001, PDL arriti në ishull rezultatin historik, të fitores së 61 deputetëve, në 61 në total.

Me më shumë se gjysmën e votave të numëruara në zgjedhjet për guvernatorin e krahinës, kandidati i partisë së Berlusconit, Nello Musumeci, ka grumbulluar vetëm 25% të preferencave, duke u renditur i dyti pas Crocettas, i cili udhëheq me 30%.

Top Channel