Do të fillojë të enjten, më 1 nëntor, proçesi gjyqësor ndaj gazetarit grek Costas Vaxevanis, i akuzuar për shkelje të privatësisë së qytetarëve, por sidomos zyrtarëve.

Vaxevanis publikoi në periodiken e tij “Hot Doc” listën e 2059 qytetarëve grekë, që sipas tij mbajnë sekret prej vitesh llogari bankare në Zvicër, pa shlyer detyrimet fiskale.

Vendimi është marrë nga gjykata e Athinës, që ka pranuar kërkesën e avokatëve të gazetarit, në një sallë të mbushur me reporterë, trupa televizive dhe qytetarë të thjeshtë.

Një ditë më parë autoritetet greke urdhëruan arrestimin e Vaxevanis, një vendim ky që shkaktoi reagime të shumta në shtetin helen dhe më gjerë. I fshehur në një shtëpi në Athinë, gazetari investigativ u shpreh se arrestimi i tij ishte një grusht ndaj fjalës së lirë.

Lista e botuar nga revista greke i është dhënë në mënyrë konfidenciale nga ish-ministrja franceze e Financave Christine Legard, tashmë shefe e FMN, ministrit të atëhershëm grek Jorgos Papakosntandinu, që në vitin 2010.

Por ky i fundit jo vetëm që nuk e ka dorëzuar tek autoritet greke, por e ka fshehur dhe më pas ia ka dhënë pasardhësit të tij Evangjelos Venizellos, ndërsa në komisionin parlamentar ka theksuar se e ka humbur.

Lista në fjalë publikohet në një moment kur nga njëra anë qeveria greke përpiqet të zbulojë dhe të luftojë evazionin fiskal, por nga ana tjetër po shmanget zbulimi i emrave të këtyre personave që dyshohen se kanë fshehur të ardhurat e tyre dhe nuk kanë paguar taksat përkatëse.

Top Channel