Anijet iraniane mbërrijnë në Sudan

29/10/2012 19:20

Një njësi detare iraniane u ankorua të hënën në një port në Sudan, për të dhënë një “mesazh paqeje dhe sigurie për vendet fqinje”, raportuan mediat iraniane.

Sipas Agjensisë Zyrtare “IRNA”, anijet, të cilat përfshijnë edhe një kryqëzor e transportues, u nisën nga Irani gjatë shtatorit.

Mbërritja e tyre në Port Sudan vjen gjashtë ditë pasi disa shpërthime shkatërruan një fabrikë armësh në afërsi të kryeqytetit Khartoum.

Qëllimi i vërtetë i misionit të këtyre luftanijeve, të shoqëruara nga tre helikopterë ushtarakë mbetet i paqartë për mediat ndërkombëtare.

Pas shpërthimit, Sudani ngriti në OKB një padi kundër Izraelit, të cilin shteti afrikan e fajëson për realizimin e goditjes nëpërmjet depërtimit të disa gjuatësve luftarakë.

Mediat ndërkombëtare raportuan se fabrika me armë operohej nga Irani, i cili dërgonte një pjesë të armëve në Liban, për të furnizuar organizatën terroriste të “Hezbollah”-ut dhe disa lëvizje të tjera militanteske palestineze.

Izraeli nuk është shprehur rreth bombardimit të supozuar të ndodhur në Sudan.

Top Channel