Ukrainë, “exit-polls” japin fitues Yanukovych

28/10/2012 00:00

Partia e Rajoneve e presidentit aktual, Viktor Yanukovych, duket se ka marrë përqindjen më të madhe të votave, por partitë opozitare kanë fituar më shumë nga sa pritej.

Sipas rezultateve të para të “exit-polls”, Yanukovych ka fituar 28% të votave, i ndjekur nga “Atdheu” i Tymoshenkos me 24,7%. Partitë e tjera kryesore ishin “Liria” me 12,5%, Komunistët me 12,5% dhe partia anti-korrupsion “Udar” 15,4%, e kampionit të boksit Vitali Klitschko.

Përgjithësisht, “exit-polls” sugjerojnë se partia e Yanukovych dhe aleatët e tij do të mbajnë pushtetin, por me një mazhorancë më të “rrudhur”. Rezultati përfundimtar pritet të jepet të hënën.

Votimet u hapën më 8:00 të së dielës dhe vunë
përballë grupin e opozitës kundër Partisë së Rajoneve, të drejtuar nga
presidenti Viktor Yanukovych.

Ky i fundit është kritikuar gjerësisht nga Perëndimi për shkak të burgosjes së rivales kryesore, ish-kryeministres Yulia Tymoshenko. Një numër partish të vogla synonin të përfitonin nga zhgënjimi. Këtu përfshihet Partia Liberale “Udar” e kampionit të boksit, Vitali Klitschko, i njohur si “Doktor Grushti i Hekurt”, si dhe Partia për Liri “Svoboda”, e ekstremit të djathtë.

Pasi hodhi votën në kryeqytetin Kiev, Klitschko tha se ndihej tepër luftarak, teksa po përgatitej “të shkonte në parlament për të luftuar”. Ai listoi “5 grushtat kryesorë, që nevojiten të jepen në parlamentin e Ukrainës”: korrupsioni, indiferenca e autoriteteve, mungesa e qeverisjes vendore, pabarazia dhe varfëria.

Presidenti Yanukovych tha se kishte votuar për “stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit, për një jetë më të mirë për njerëzit tanë”. Ai shtoi: “Besoj se këto zgjedhje do ta çojnë Ukrainën drejt bashkimit”.

Kutitë e votimeve u mbajtën hapur për 12 orë.

Gjysma e parlamentit me 450 vende të Ukrainës do të mbushet nga palët e zgjedhura mbi bazën e listës së kandidatëve, ndërsa gjysma tjetër do të plotësohej nga kandidatët individualë, të votuar sipas sistemit mazhoritar. Rreth 5000 kandidatë kanë garuar në këto zgjedhje.

Një korrespondent i BBC-së tha se këto janë zgjedhjet më të vëzhguara në historinë e Ukrainës, me 3500 vëzhgues të huaj të akredituar, përfshi më shumë se 600 nga OSBE-ja.

Top Channel