Seria A, Juventus fiton mes polemikave

28/10/2012 00:00

Juventus vazhdon serinë e rezultateve pozitive në Serinë A. Këtë radhë Zonja e Vjetër mundi Katanian me rezultatin e ngushtë 1-0 duke u ngjitur në kuotën e 25 pikëve.

Për skuadrën torineze mjatoi një gol i Arturo Vidal në pjesën e dytë ndërkohë që Katania mbeti me 10 futbollistë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Markezes. Në këtë përballje nuk munguan polemikat dhe shkak për këtë u bë një gol i anuluar i Katanias dhe sipas arbitrit një prej futbollistëve të ekipit siçilianë ishte në pozicion jashtë loje.

Shembullin e Juventusit e ndoqi edhe Interi që mundi në “Dall’ Ara” Bolonjën me rezultatin 3-1. Zikaltërit e Andrea Stramaccionit kaluan në avantazh në minutën e 27 me anë të mbrojtësit Ranokia. Në fillimin e pjesës së dytë, Milito e dyfishoi rezultatin, por Bolonja arriti të shkurtojë diferencën e rezultatit falë golit me kokë të Kerubin.

Por Interi u kundërpërgjigj menjëherë dhe falë një aksioni shumë të bukur me protagonistë Palasion, Militon dhe Kambiason firmosi fitoren e radhës duke u ngjitur në kuotën e 21 pikëve.

Fiorentina thyen Lacion duke e mundur me rezultatin 2-0. Fiorentina kaloi në avantazh në fundin e pjesës së parë me Ljajic, ndërkohë që më parë Mati Fernandez kishte një 11-metërsh. Në pjesën e dytë gjërat u përkeqësuan akoma më shumë për Lacion që e pa veten të mbyllë ndeshjen me 9 futbollistë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Ledezmës dhe Hernanez.

Në minutat e fundit të ndeshjes, Luka Toni shënoi edhe golin e dytë për Fiorentinën që arrin në kuotën e 15 pikëve.

Napoli merr një fitore të vuajtur përballë Kievos në stadiumin San Paolo. Skuadra e Valter Maxarrit e mbylli këtë ndeshje me rezultatin 1-0 dhe ai që vendosi firmën ishte Marek Hamshik i cili e shënoi golin në minutën e 58, ndërkohë që Kievo e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë . 

Roma
pësoi disfatë në fushën e saj ndaj Udinezes me rezultatin 3-2. Verdhekuqtë e nisën më mirë ndeshjen kur shënuan dy herë në minutën e 22 dhe 24 me Erik Lamelën. Por Udineze reagoi dhe shkurtoi diferencën në 2-1 me Domici, ndërkohë që Di Natale barazoi gjithçka.

Ishte po ky futbollist që në minutat e fundit i dha fitoren friulanëve duke shënuar edhe golin e tretë nga pika e bardhë e 11-metërshit, ndërkohë që Taksidhis u ndëshkua me karton të kuq duke e lënë Romën me 10 futbollistë.

Në ndeshjet e tjera të Serisë A, Torino humbi me Parmën 1-3, Sampdoria u mund nga Kaljari 0-1, ndërsa ndeshja mes Peskarës dhe Atalantës përfundoi 0-0.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta