Arrestohet vrasësi i çiftit

28/10/2012 00:00

Pas krimit të dyfishtë dhe makabër në fshatin Belishovë të Mallakastrës, polcia ka arrestuar si autor të dyshuar 19-vjeçarin Xhevit Malkaj nën akuzë për vrasje në rrethana cilësuese, ndërsa babai i adoleshentit, Bajram Malkaj, është prangosur për moskallëzim dhe fshehje të gjurmëve të krimit.

Adoleshenti që dyshohet si njeriu që vrau Enver dhe Azbie Myftaraj, disa orë para vrasjes së bashkëshortëve, 19-vjeçari kishte debatuar me viktimën për çështje parash. Drejtori i Policisë së Fierit deklaroi për mediat dinamikën se si u masakrua çifti, të cilët pasi u vranë edhe u dogjën.

“Ky shtetas ka shkuar në banesën e viktimës i pajisur me armë gjahu, me paramendim për të vrarë çiftin. I ka vrarë e më pas ka tentuar të hapë një kasafortë. Më tej i ka spërkatur banesën dhe viktimat me lëndë djegëse duke u vënë zjarrin”, shprehet Arjan Bozhaj.

Zyrtarisht për policinë vrasja e Enver dhe Azbie Myftaraj ka ndodhur për motive të dobëta. Por burime nga grupi i hetimit treguan se 19-vjeçari ka rrëfyer se i kishte kryer vrasjet për shkak të konflikteve që kishte me Enver Myftarajn, i punësuar si roje në puset e naftës në Drenovë, për një shumë lekësh të përfituara nga vjedhja e materialeve të puseve.

Madje burimet u shprehën se vrasja e çiftit nuk ka shkak grabitjen e kasafortës, por ka motive hakmarrjeje pasi 59-vjeçari së fundmi ishte konfliktuar shpesh me adoleshentin për një shumë parash. 

Adoleshenti ka nënvizuar se fare rastësisht në vendngjarje kishte parë që ndodhej edhe kasaforta, për të cilën ka tentuar ta hapë, megjithëse pa sukses. Policia deklaron se ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale një armë e cila i përkiste babait të tij, Bajram Malkaj, si dhe një automjet dhe një motoçikletë e përdorur në krim.

Top Channel