Kapiteni i Realit të Madridit, Iker Casillas, dhe mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, morën një nga çmimet më të larta sociale të Spanjës, “Princi i Asturias”, nga trashëgimtari për fronin spanjoll, Princi Felipe, të premten.
Princi u dorëzoi diplomat, gjatë ceremonisë të përvitshme të dhënies së këtij çmimi në qytetin e Oviedos, dyshes së kampionëve të Europës e Botës në fuqi, Spanjës, të cilët janë miq jashtë fushës së blertë.
Juria e këtij çmimi i lavdëroi për sjelljen korrekte sportive, duke theksuar se ata “simbolizojnë vlerat e shoqërisë, përtej rivalitetit të madh të dy ekipeve respektive, ku ata aktivizohen”.
Casillas i thuri lavde shokëve të tij te Reali dhe Spanja, duke thënë se ai dhe Xavi “janë maja e dukshme e një gjenerate futbollistësh, të cilët do të mbahen mend për breza e breza me radhë”, në deklaratën e publikuar në faqen e klubit të tij.
Ashtu si çmimi i dhënë ndaj dy futbollistëve, sa i përket fushës së sportit, Fondacioni “Prince of Asturias”, i drejtuar nga Felipe, jep çmimet e tij në 7 fusha të tjera, përfshi letërsinë dhe shkencën.
Top Channel