Uragani Frankeshtajn, kërcënon Nju Jorkun

27/10/2012 00:14

Nju Jorku dhe Shtetet e brigjeve lindore në Shtetet e Bashkuara po përgatiten për atë që ekspertët e pagëzuan si “FrankeStorm”, si monstra e krijuar nga Doktor Frankeshtajni; një ndërthurje mes uraganit Sandi dhe disa masave të ftohta ajrore, nga 29 tetori deri më 31 tetor.

Xhef Master, drejtori për shërbimin e parashikimit të motit, thotë se stuhia mund të jetë shumë e fortë, madje ai e cilësoi “historike”. Pritet të sjellë shira të rrëmbyer, rreshje dëbore dhe erëra polare. Ekspertët i frikësohen bashkimit të dy stuhive, që priten të ndodhë mbi Nju Jork dhe 6 shtetet e rajonit verilindor, të Nju Inglend; Majnit, Nju Hempsher, Vermont, Masaçusets, Rod Ajlend dhe Kënektikat.

Uragani Sandi, që kaloi mbi Karaibe, ka shkaktuar 22 të vdekur: 11 në Kuba, 9 në Haiti, 2 në Xhamajkë dhe Bahamas. Sendi është shumë larg Nju Jorkut, por trajektorja do ta çojë uraganin në brigjet atlantike ndaj dhe autoritetet paralajmëruan për stuhinë në Xhorxhia dhe Karolinën Veriore.

Por, përveç uraganit, po vjen edhe një rrymë e ftohtë nga Kanadaja, që do të sjellë një të ftohtë polar. Ishte pikërisht kjo gjë, ajo që ndodhi në vitin 1991; subjekt i një libri dhe më pas një filmi të titulluar: “Stuhia perfekte”, që asokohe shkaktoi 200 milionë dollarë dëme. Ashtu si 21 vite më parë, në po të njëjtën periudhë që përkon me festën e Hallouinit – zona e goditur, në veri të Nju Inglend – ishte më pak e populluar.

Sot, shifra e dëmeve parashikohet t’i kalojë 1 miliardë dollarë. Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, tha se janë marrë të gjitha masat dhe askush s’duhet të ketë frikë.

Top Channel