Pero Pejiç dhe Skënderbeu i Mirel Josës mundën 2-0 Tiranën, duke thelluar krizën tek skuadra bardheblu, e cila përveç se ka 6 ndeshje që nuk fiton tashmë e sheh veten 7 pikë larg rivalit direkt të këtyre viteve të fundit në Suerpligë.
Vetëm 50 minuta arritën bardheblutë të mbanin presionin e korçarëve, të cilët kaluan në avantazh me Pejiç. Duke mos mjaftuar ky gol dhe dominimi i Skënderbeut, Tirana u detyrua të luante minutat e mbetura me 10 lojtarë, pas daljes me të kuq të Muçollarit.
Epërsia numerike ia lehtësoi më shumë punën korçarëve, të cilët dyfishuan me Pejiç në minutën e ‘76. Dështimi i radhës e bën më emergjent reflektimin e klubit të Tiranës që pritet të marrë vendime ekstreme.
Pas Kupës, Flamurtari i Rubio Sanchez fiton edhe në kampionat dhe këtë e bën falë Migen Memellit, i cili shënoi 3 gola në fitoren 3-2 me Luftëtarin.
Dy gabime të portierit Koliqi i dhanë mundësinë gjirokastritëve t’i gëzoheshin 2 golave të Shenaj dhe Liçajt. Por 1 minutë para fundit Memelli barazoi shifrat, ndërkohë që në minutat e fundit shtesë, 32-vjeçari prishi ëndrrat e Luftëtarit për të dalë me 1 pikë nga fusha e vet.
Apolonia dhe Tomori u ndanë në barazim 2-2, një rezultat ky që nuk i bën punë asnjërës prej këtyre dy skuadrave të cilat vazhdojnë të mbeten në fundin e renditjes në të njëjtat pozita.
Fierakët shënuan të parët me Ramën, Tomori barazoi me Hyskon dhe kaloi në avantazh me Milen. Në fund i takoi Ramës që të vuloste rezultatin e kësaj sfide.
Top Channel