Romney sulmon Obaman

27/10/2012 00:00

Mitt romney premton ndryshim real përballë status quo-së së Barack Obamas në ekonomi. Kandidati republikan i bëri të tilla komente në atë që kampi  i tij e cilësoi argument përmbyllës.

Gjatë fjalimit mbi ekonominë të mbajtur në shtetin e Ajoues, të konsideruar një fushëbetejë e zgjedhjeve të nëntorit, Romney kritikoi ashpër rivalin demokrat duke thënë se në të tre debatet presidenti nuk bëri asnjë propozim me vlerë për të përballuar sfidat e kohës.

“Votimi nënkupton një zgjedhje që duhet bërë, një zgjedhje mes status quo-së, mes vazhdimit me të njëjtat politika që kemi parë prej 4 vjetësh dhe ndryshimit të vërtetë, ndryshim që ofron premtim, premtim se e ardhmja do të jetë më e mirë se e shkuara”, deklaroi Romney.

Qeveria amerikane njoftoi një ditë më parë rritjen e ekonomisë me 2 % për periudhën  korrik-shtator, që është pak më shumë nga sa kishin parashikuar ekonomistët. Sipas saj shtimi i shpenzimeve të konsumatorëve, që përbën 70 përqind të ekonomisë më të madhe të botës, shkaktoi rritjen më të mirë të ekonomisë.

Për kryekëshilltarin Ekonomik të Shtëpisë të Bardhë, Alan Krueger, raporti tregon se ekonomia po ecën në drejtimin e duhur edhe pse mbetet ende shumë punë për të bërë.

Por romney i cilësoi të dhënat si “raundin e fundit të lajmeve shkurajuese ekonomike”, e theksoi edhe njëherë se politikat e administratës Obama nuk kanë sjellë vecse krijim të ngadaltë të vendeve të reja të punës dhe reduktim të pagave.

Presidenti nga ana e tij e konsideron platformën ekonomike të kundërshtarit si  “siperfaqësore”, e thotë se ajo do ta thellojë akoma më shumë deficitin buxhetor të vendit.

Top Channel