Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se e ka shkruar personalisht platformën për bisedimet me Kosovën dhe se tani radhën e kanë ministrat për të dhënë sugjerime dhe vërejtje.

“Dua që shumë shpjet të fillojmë bisedimet me shqiptarët dhe kjo është paralajmëruar me takimin e kryeministrave Daçiç e Thaçi në Bruksel. Është mirë që ky takim u zhvillua”, ka thënë Nikoliç për gazetarët në Shkup.

I pyetur për detajet e platformës, presidenti serb ka thënë se dokumenti është sekret shtetëror, por nga ana tjetër ka përsëritur se pavarësia e Kosovës është e papranueshme.

“Prandaj duhet gjetur ai model, që ekziston në disa shtete evropiane, dhe që do të kënaqte të dyja palët”, është shprehur Nikoliç, i cituar nga “REL”.

Ai ka thënë se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nuk duhet të kushtëzohet me çështjen e Kosovës, gjë që sipas tij do të ishte e papranueshme.

“Po qe se dikush në BE insiston që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, kjo do të thotë se ai vend ende nuk e do Serbinë anëtare të BE-së”, ka thënë Nikolic.

“Serbia kurrë nuk do ta shohë Kosovën si shtet dhe në 100 vitet e ardhshme në Serbi nuk do të lindë kurrë ai njeri që do të fitojë zgjedhjet dhe do të pranojë më pas pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar presidenti serb.

Diplomatët evropianë i kanë kërkuar Serbisë që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën si kusht për të avancuar drejt bllokut evropian.

Top Channel