Korçë, vritet më armë zjarri një 50-vjeçar

27/10/2012 00:00

Një 50-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri në orët e mëngjësit të së shtunës në ambientet e një lokali në rrethin e Korçës.

Sipas njoftimeve paraprake, mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në një lokal në fshatin Vloçisht ku viktima mendohet se ruante ambientet.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e motiveve të vrasjes, gjetjen dhe kapjen e autorëve të krimit të rëndë. Dyshimet e para të uniformave blu bien mbi një përpjekje për të vjedhur, e përfunduar në tragjedi.

Ndërkohë, në qytetin e Durrësit, një 19-vjeçare i ka dhënë fund jetës së saj duke u hedhur nga kati i katërt i një pallati.

Ngjarja që ka shokuar banorët ka ndodhur në lagjen numër shtatët  të qytetit bregdetar. Mësohet se viktima, që jetonte me prindërit në një shtëpi private, ka ngjitur shkallët e pallatit sapo është zgjuar nga gjumi dhe në momentin që ka mbërritur në katin e katërt, është hedhur.

19-vjeçarja u shoqërua menjëherë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Policia nisi hetimet për të zbardhur motivet që e çuan të renë drejt aktit ekstrem të vetëvrasjes.

Top Channel