Iran, anulohet vizita e delegacionit të PE

27/10/2012 18:20

Një delegacion i Parlamentit Evropian ka anuluar vizitën në Iran pasi Teherani refuzoi t’i lejonte ata të vizitonin dy aktivistët e burgosur që së fundmi u vlerësuan me çmimin e BE për të drejtat e njeriut.

Avokatja Nasrin Sotoudeh dhe producenti i filmave Jafar Panahi u shpallën të premten fitues të çmimit prestigjoz Sakharov.

Pesë politikanët e Parlamentit Evropian ishte parashikuar të mbërrinin në teheran ditën e shtunë për t’u dhënë çmimin dy aktivistëve, por media iraniane njoftoi se qeveria e Teheranit nuk mund ta pranojë këtë kërkesë.

Hossein Sheikholeslam, nga zyra e shtypit e parlamentit iranian, tha se delegacioni duhet ta vizitonte Iranin sipas kushteve për të cilat ishte rënë dakord më parë dhe sipas axhendës së përshkruar.

Ende nuk dihet se çfarë përmbante axhenda në fjalë. Zëdhënësja e Parlamentit Evropian, Satu Helin tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se ishin iranianët që anuluan vizitën.

Nasrin Sotoudeh po shlyen një dënim prej 6 vitesh burg në burgun famëkeq të Evinit për “cënim të sigurisë kombëtare” dhe “propagandë kundër regjimit”.

Ndërsa Jafar Panahi, 52 vjeç, është i njohur për filmat e tij humanistë mbi jetën në Iran, por në vitin 2010 u dënua me arrest shtëpie dhe iu ndalua realizimi i filmave për 20 vjet për akuza analoge.

Top Channel