FOX News, hetimi për sulmin në Libi

27/10/2012 03:20

Rrjeti televiziv FOX News akuzon administratën Obama për vdekjen e Ambasadorit Kristofer Stivens dhe tre amerikanëve të tjerë, më 11 shtator, në Bengazi të Libisë.

Një ekip i CIA-s që ndodhej 2 kilometra larg konsullatës kërkoi autorizim për të ndërhyrë, por nuk iu lejua. Madje sipas FOX News, televizionit pro-republikan, i urdhëruan të qëndronin të fshehur. Një orë më vonë Tajron Uds dhe Glen Doherty, dy ish anëtarë të Navy Seals, pjesëtarë të skuadrës së sigurisë, përsërisin kërkesën për të vepruar, por marrin sërish të njëjtën përgjigje negative. Nuk i binden urdhrit dhe arrijnë konsullatën ku marrin trupin e pajetë të diplomatit Shon Smith por jo atë të Stivens.

Kur hyjnë në “shtëpinë e sigurt” rreth mesnatës marrin një tjetër goditje. Skuadra kërkon përforcime. Nga komanda nuk vjen asnjë përgjigje dhe as përforcime.

Sipas Foks News, Pentagoni mund të kishte zhvendosur forcat speciale dhe avionët që ndodheshin në bazën e Sixhonelës në Sicili.

Situata në “shtëpinë e sigurt” bëhet kritike. Terroristët qëllojnë me mortaja. Beteja zgjat për rreth 4 orë dhe përfundon me vdekjen e Uds dhe Doherty.

Sipas Fox në qiellin e Bengazit fluturonin dy avionë të telekomanduar që me cdo gjasë kishin fotografuar cfarë po ndodhte për ta transmetuar në Uashington.

Burime zyrtare duke iu përgjigjur akuzave përmenden tre arsye për mos ndërhyrjen; mungesën e komunikimit, terrenin konfuz dhe informacionet e pasakta të libianëve.

Top Channel