Colin Powell zgjedh Obaman

27/10/2012 00:00

Presidenti Barack Obama ndërhyri me tone të ashpra në një emision radiofonik në mbrojtje të Colin Powell, ish-sekretar i Shtetit gjatë presidencës së George W. Bush.

Powell ishte në shenjestrën e John Sununu, autor i programit i cili tha se Powell kishte vendosur të mbështeste Barack Obaman për arsye racore.

Kaq ka mjaftuar që të ndizej debati dhe presidenti Obama me ton të ashpër drejtuar autorit të programit tha se arsyet e zgjedhjes së bërë nga Powell flasin vetë dhe asesi nuk mund të argumentohen me “ngjyrën e lëkurës”

Colin Powell udhëhoqi për 5 vjet Departamentin e Shtetit në administratën Bush. Ai zëvendësoi në këtë detyrë Madeleine Albright në janar të 2001 dhe po në janar, por në 2005 u largua duke i lënë postin e kryediplomatit, Condoleezza Rice.

Ndërkohë, dhjetë ditë nga mbajtja e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara një sondazh i publikuar nga Gallup tregon për një diferencë prej 5 pikësh të kandidatit republikan, Mitt Romney.

Sipas këtij sondazhi, 51 përqind e amerikanëve shprehen se do të votojnë republikanin më 6 nëntor, ndërsa 46 përqind e të anketuarve deklarojnë votën pro një mandatit të dytë të Barack Obamas.

Marzhi i gabimit i këtij sondazhi përllogaritet i lartë, pasi ai është ndërmarrë në nivel kombëtar, ndërkohë që për presidencën e ardhshme do të vendosë vota në shtete të veçanta në varësi të shpërndarjes së popullsisë dhe numrit të votuesve.

Një tjetër sondazh i publikuar nga RPC flet për një barazpeshë të preferencave mes dy kandidatëve, megjithëse edhe këtu Mitt Romney ndodhet në avantazh, por vetëm 1 pikë përqindje.

Fushata në Shtetet e Bashkuara ka hyrë në fazën finale të saj, ndërkohë që në disa shtete ka nisur e ashtuquajtura votë e parakohëshme. Vetë presidenti Obama zgjodhi të votojë para kohe në përpjekje për të nxitur votuesit për një pjesëmarrje masive në zgjedhje.

Sipas analistëve amerikanë, sa më e lartë që të jetë pjesëmarrja në zgjedhje, aq më të mëdha janë shanset e Obamas për t’u konfirmuar si president i amerikanëve, nisur kjo nga politikat populiste të tij.

Top Channel