Spanjë, rekord i ri i papunësisë

26/10/2012 16:25

Pothuajse çereku i qytetarëve në Spanjën e goditur nga reçesioni janë të papunë, tregojnë shifrat e reja.

Kuota e papunësisë u ngrit në 25 për qind në tremujorin e tretë, nga 24.6 për qind që kishte qenë tre muaj më parë, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Statistikave në Spanjë.

Mes të rinjve të moshave nga 16 në 24 vjeç, papunësia llogaritet në 52 për qind. Shifrat konfirmojnë ato të agjencive statistikore të BE-së, që thoshin se papunësia në eurozonë ka prekur 18.2 milionë banorë.

“Në një hapësirë kohore prej 5 vjetësh, papunësia në Spanjë është rritur nga 8 për qind në 25 për qind”, deklaroi korrespondenti i BBC në Madrid, Tom Burridge.

“Në disa zona të jugut të vendit, një në tre persona që kërkojnë punë nuk arrijnë ta gjejnë”, ka raportuar gazetari i rrjetit informativ britanik.

Mungesa e numrit të të punësuarve do të thotë më pak para në qarkullim në ekonominë e rrënuar të Spanjës, situatë kjo që e bën më të vështirë sfidën e qeverisë iberike për të balancuar financat e saj, pasi merr më pak të ardhura.

Spanja po përpiqet të rikthejë besimin tek investitorët ndërkombëtarë, duke përforcuar aftësitë e Madridit për të shlyer borxhet, gjë që është bërë edhe më e vështirë për shkak të reçesionit të thellë.

Qeveria spanjolle ndodhet në vështirësi financiare që nga rënia e krizës globale në vitin 2008, që goditi rëndë tregun e pronave të vendit. Shumë vetë druhen se do të duhet një ndihmë financiare e plotë për shlyerjen e borxheve bankare të cilat janë marrë.

Në përpjekje për të reduktuar defiçitin, qeveria ka prezantuar një seri masash që parashikojnë shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e taksave, të cilat refuzohen nga populli.

Top Channel