Shpikësit britanikë shkëlqyen në gjysmën e dytë të shekullit 19. Joseph Swan nga Sunderland krijoi llambën e parë elektrike në 1860, ndërsa Alexander Graham Bell nga Edinburgh iu dha patenta e parë amerikane për telefonin, 16 vite më vonë.
Një tjetër element, i cili do të bëhej një pjesë e pandarë e jetës së gjithsecilit anembanë globit, u soll në jetë në të njëjtën periudhë dhe të njëjtin vend: klubi i futbollit. Më i vjetri ekzistues i botës është ai i ideuar nga Nathaniel Creswick dhe William Prest, dy lojtarë kriketi nga veriu i Anglisë.
Emri i tij ka qenë Sheffield FC, edhe pse që prej asaj kohe ndodhet në rangun e 8-të të futbollit anglez, klubi ka mbetur gjithsesi në qendër të vëmendjes. Në të vërtetë, presidenti i nderit të Sheffield-it është as më pak e as më shumë, por presidenti i FIFA-s, Joseph S. Blatter. Klubi në fjalë është një nga dy klubet e vetme, bashkë me Realin e Madridit, të cilëve iu është dhënë çmimi “Urdhri i Meritës” nga FIFA.
Për të festuar 150-vjetorin e tij, Sheffield humbi 5-2 me Interin, që kishte një formacion të sajuar me Marko Materacin, fitues të Botërorit 2006, mesfushorin portugez Pele dhe sulmuesin e Sitit, Mario Baloteli. Ndërkohë, një tjetër Pelè, ai që fitoi 3 kampionate botërorë duke mbajtur numrin 10 të Brazilit mbi shpinë, e ndoqi atë ndeshje, në atë që u konsiderua si një testament i madh i lënë nga klubi nga South Yorkshire, në lojën më globale në botë.
Ndeshja u luajt ekzaktësisht 5 vite më parë dhe ajo ditë ishte sërish e mërkurë. Për të shënuar 155-vjetorin e tij, klubi që është një mamuth 48 vite më i vjetër se kryesuesit e Premier Ligës dhe kampionët aktualë të Europës, Chelsea, krijoi mundësinë që çdo i apasionuar pas futbollit, t’i dërgonte urimet nëpërmjet mediave sociale.
Top Channel