Durrës, sherr mes të rinjsh, 2 të plagosur

26/10/2012 22:15

Një sherr mes disa të rinjve në qytetin e Durrësit ka degjeneruar në përballje me armë të ftohta dhe për rrjedhojë dy prej tyre kanë mbetur të plagosur.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur gjatë pasdites, në një hotel në zonën e plazhit.

Sipas burimeve, dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e qytetit bregdetar ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, shtojnë burimet, agjentët e anti-krimit kanë identifikuar autorët, të cilët janë shpallur persona në kërkim.

Sherret e armatosura mes të rinjve janë kthyer në një fenomen shqetësues për shoqërinë shqiptare dhe jo pak herë, përveç plagosjes ato kanë përfunduar edhe me vrasje.

Në fund të muajit të kaluar, të shtëna armësh u verifikuan tek zona e Porcelanit, në Tiranë, ku si pasojë mbetën të plagosur 3 persona.

Burime policore zyrtare bënë të ditur se ngjarja kishte ndodhur në një lokal, pas një sherri verbal mes disa të rinjve që degradoi në armë.

Ndërsa para pak ditësh, ngacmimi dhe e qeshura tallëse drejtuar bashkëmoshatarit që po tregonte për një fenomen shkencor, i kushtoi një plagë jo të lehtë në këmbë një 18-vjeçari nga qyteti i Patosit.

Ishte një nxënës i klasës së 11-të të shkollës së mesme “Zhani Ciko”, i cili goditi me thikë shokun e klasës, pranë ambienteve të shkollës në fjalë, për shkak të një zënke banale. 

Top Channel