Britani, dënohet supertrafikanti i armëve

26/10/2012 21:55

Një trafikant armësh është dënuar sepse ka ndihmuar në organizimin e një dërgim “masiv” armësh dhe municionesh nga Kina në Nigeri pa pasur liçencë.

Gary Hyde, 43 vjeç, nga Njutoni, ka qenë dënuar edhe më parë për fshehje të mandateve të pagesave.

Në një gjykatë britanike u zhvillua seanca ku u mësua se si 40 mijë kallashnikovë, 30 mijë pushkë dhe 10 mijë pistoleta ishin dërguar në vitin 2007.

Vendimi përfundimtar ndaj të pandehurit pritet të jepet më 23 nëntor, njofton rrjeti informativ britanik BBC në edicionin e tij online.

Rreth 32 milionë fishekë e municione të tjera ishin importuar nga Kina mes periudhës mars 2006 – dhjetor 2007, bën të ditur burimi.

Por Hyde dështoi në ndjekjen e proçedurave duke shkelur ligjin mbi tregtinë e mallrave të 2003-shit dhe në fshehjen e 1 milionë dollarëve detyrimi financiar ndaj shtetit.

“Hyde ishte një trafikant armësh me eksperiencë që mendoi se mund të shmangte ligjin për të fituar ca para më shumë”, ka deklaruar oficeri i doganave britanike Peter Millroy.

“Ai e dinte shumë mirë se aktiviteti i tij kërkonte një liçencë, por vendosi të mos merrej me ligjin dhe ne tani jemi të kënaqur që pas një hetimi të gjatë ai ka dalë para drejtësisë”, ka shtuar oficeri.

Para se t’i hynte tregtisë së armëve, Hyde kishte shërbyer si oficer special i policisë në North Yorkshire për 7 vjet, derisa u tërhoq në vitin 2004.

Top Channel