Milani do të tentojë të dalë nga kriza duke ndryshuar modulin. Massimiliano Allegri do të luajë me 3 mbrojtës ndaj Genoas të shtunën, ashtu siç bëri edhe ndaj Malagës, por kësaj radhe duke shpresuar në një rezultat ndryshe.
“Kam zgjedhur mbrojtjen me 3 pasi dua të përmirësoj fazën sulmuese. Do të vazhdojmë me këtë skemë”, deklaroi Allegri.
Humbja në Spanjë dukej se do të ishte ndeshje e fundit e Allegrit nën drejtimin e Milanit, por Berlusconi dhe Galliani kanë vendosur t’i japin një tjetër mundësi teknikut livornez.
“Ndihem i vlerësuar nga fjalët e Gallianit. Gjithashtu Berlusconi ka qenë pranë nesh sepse e kupton që po kalojmë një moment të vështirë. Nuk kam frikë nga shkarkimi. Mendoj vetëm se si të ringjitemi në klasifikimin e kampionatit dhe të kalojmë fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve. Ndaj Genoas është një ndeshje e rëndësishme dhe duhet t’i dhurojmë tifozëve një fitore. Kemi nevojë të përmirësohemi në 30 metrat e fundit”, është shprehur Allegri.
Në lidhje me formën e dobët të Boateng, tekniku italian theksoi: “Besoj se përjashtimi nga ndeshja e Ligës së Kampioneve e ka ndihmuar. Është një lojtar i rëndësishëm dhe jam i bindur që do të rikthehet si më parë. Unë kam shumë besim tek ai.”
Duke folur për Paton, Allegri nënvizoi se minutat që ka luajtur në dy ndeshjet e fundit e kanë ndihmuar: “Ka shumë kohë që nuk luan, por mendoj se frika për një dëmtim tjetër është zhdukur tek ai. Është e domosdoshme për ne që Pato të kthehet lojtari i dikurshëm.”
Milan-Genoa do të luhet ditën e shtunë, në orën 20:45.
Top Channel