Sudani, padi në OKB ndaj Izraelit

25/10/2012 18:50

Sudani lajmëroi për ngritjen e shpejtë të një padie ndaj Izraelit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pas një shpërthimi të ndodhur në një fabrikë armësh, për të cilën vendi afrikan fajëson një bombardim ajror nga ana e ushtrisë izraelite.

I dërguari i Sudanit në selinë e OKB-së në Nju Jork, Daffa-Alla Elhag Ali Osman, deklaroi se në vitet e fundit, sovraniteti i vendit të tij është cënuar të paktën tre herë nga ana e Tel Avivit zyrtar.

Khartumi zyrtar akuzoi të martën shtetin hebre menjëherë pas shpërthimit, por nuk ka dhënë prova që mbështesin pretendimet e tij.

Izraeli ka zgjedhur që të mos komentojë akuzat. Burime brenda Sudanit deklaruan për “BBC” se punishtja e armëve besohet se operohej nga ana e iranianëve.

Më parë, Tel Avivi ka akuzuar shtetin afrikan, të dalë nga “lista e zezë” e vendeve sponsorë të terrorizmit vetëm së fundmi, se ka furnizuar me armë terroristët libanezë të Hezbollahut.

Top Channel