Dani Pedrosa, i dyti në klasifikimin e përgjithshëm të Moto GP, theksoi se nuk mendon për garën e së dielës, por vetëm të nisë të bëjë xhiro për të përgatitur si duhet motorin nga e premtja.
“Nuk po mendoj se çfarë do të ndodhë në garën e së dielës, e vetmja gjë që më intereson është të nis të punoj me motorin ditën e premte për të gjetur “set-up”-in e duhur”, theksoi piloti spanjoll i Hondës.
Në lidhje me titullin kampion, Pedrosa deklaroi: “E vërteta është që fitoret në garat e fundit më kanë dhënë besim, por nëse luftojmë për fitoren vetëm unë dhe Lorenzo, do të jetë e pamundur për mua në këto dy garat e fundit.”
Dani Pedrosa ka 23 pikë më pak se Lorenzo kryesues kur kanë mbetur edhe dy gara nga përfundimi i kampionatit. Nëse këto dy gara do të përfundojnë si zakonisht këto kohët e fundit (me Pedrosa fitues dhe Lorenzo i dyti), piloti i Yamaha do të fitojë titullin kampion për herë të dytë në karrierë.
Provat zyrtare të Cmimit të Madh të Australisë do të zhvillohen të shtunën në orën 06:00, ndërsa gara të dielën në të njëjtën orë. Provat dhe garën mund t’i ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel.
Top Channel