Izrael, të djathtët bashkohen për zgjedhje

25/10/2012 00:00

Partitë e djathta izraelitë nënshkruan një marrëveshje koalicioni për të dalë bashkarisht në zgjedhjet e parakohëshme të 22 janarit të vitit të ardhshëm.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që kryeson partinë Likud, njoftoi marrëveshjen me partinë Yisrael Beitenu, ultra-nacionalistët që udhëhiqen nga Ministri i Jashtëm, Avigdor Lieberman.

Koalicioni i ri do të quhet “Likud Beitenu” (Izraeli është shtëpia jonë)dhe bashkimi këtyre dy partive do të krijojë një bllok të djathtë që mediat izraelite thonë se ka të sigurtë fitoren në zgjedhje.

Dy politikanët izraelitë vlerësuan marrëveshjen dhe deklaruan për mediat vendase se ishin të bashkuar për një Izrael më të mirë.

Partia e Netanyahu-t, sipas sondazheve nuk mund të fitonte e vetme zgjedhjet, ndaj kryeministri i trembej ardhjes në pushtet të Partisë Laburiste të qendrës.

Parlamenti izraelit u shpërnda në fillim të këtij muaji dhe kryeministri Netanyahu thërriti zgjedhjet e parakohëshme pas mosmarrëveshjeve për buxhetin e vitit 2013.

Top Channel