Milani humbet edhe atë pikë të fortë nga ku mund të shpëtonte këtë sezon të dështuar. Kuqezinjtë e Alegrit munden edhe në Champions League nga Malaga me rezultatin 1-0, duke rrezikuar ndeshëm edhe në këtë veprimtari kualifikimin për në fazën tjetër.
Pas një 11-metërshi të humbur në pjesën e parë Hoakin shënon në të dytën golin e vetëm të takimit duke i dhënë mundësinë Malagas të kryesojë grupin me 9 pikë të plota pas 3 ndeshjesh.
Edhe Reali i Madridit renditet mes skuadrave të mundura në mbrëmjen e dytë të ndeshjeve të Champions Leagues, pasi ka pësuar humbjen e parë në këtë fazë grupesh përballë Borusias së Dortmundit.
Levandovski ishte autori i golit të parë, ndërkohë që shumë shpejt, Kristiano Ronaldo barazon shifrat brenda 45 minutëshit në 1-1. Në pjesën e dytë Shmeltzer shënon edhe golin e dytë duke i dhënë fitoren dhe kreun e grupit D Borusias së Dortmundit e cila ngjitet në kuotën e 7 pikëve.
Nuk ka qenë kjo e vetmja surprizë e këtij grupi, pasi edhe kampionët e anglisë, Manchester Siti është mundur 3-1 nga Ajaksi, duke mbajtur fundin e grupit me 1 pikë pas 3 ndeshjesh. Golit të parë të Sami Nasrisë i përgjigjen me tre holandezët të cilët barazojnë me De Jong, për të kaluar në avantazh më pas me Moisander, ndërsa golin e tretë e shënon Eriksen.
Një tjetër skuadër angleze provon shijen e humbjes në këtë mbrëmje. Arsenali është mundur në fushën e tij nga Shalke 04 me rezultatin 0-2. Huntelar dhe Afellai janë autorët e dy golave për skuadrën gjermane e cila vijon paraqitjet e mira ashtu si në kampionat ku këtë javë mundi kampionët e Dortmundit.
Me këtë fitore Shalke kryeson grupin B me 7 pikë, një më shumë se Arsenali. Grekët e Olimpiakosit kanë marrë tre pikët e para pasi i përmbysën në kohën shtesë rezultatin Montpelies.
Top Channel