Ford shkurton 1400 vende pune në Britani

25/10/2012 23:12

Bëhet fjalë për fabrikën e fugonave tranzit në Southampton dhe fabrikën e stampimit në Dagenham, Essex, të cilat do të mbyllen, teksa burime nga sindikatat thonë se numri i të papunëve mund të kapë shifrën 2000. Ford njoftoi se ka planifikuar mbylljen e këtyre fabrikave vitin e ardhshëm.

Lajmi erdhi vetëm 1 ditë, pasi Ford kishte nisur konsultat për mbylljen e fabribës së tyre në Genk të Belgjikës, ku do të humbasin vendet e tyre të punës rreth 4300 punonjës, për shkak të reduktimit të kostove nga ana e kompanisë. Kompania njoftoi sindikatat për mbylljen e fabrikës në Genk, e cila prodhon modelet Mondeo dhe S-Max, në vitin 2014.

Kriza e vazhdueshme – Ford shpreson të minimizojë humbjet përmes shkurtimeve vullnetare dhe ripozicionimeve.

“Do ta trajtojmë krizën në Europë me fokusimin te produktet e reja, te një markë më e fortë dhe te rritja e efikasitetit të kostove”, tha drejtuesi i Ford, Alan Mulally. “E dimë impaktin që do të kenë veprimet tona kundrejt shumë prej punonjësve tanë dhe familjeve të tyre në Europë, ndaj dhe do të punojmë bashkë me të gjithë palët e interesuara, gjatë këtij transformimi të domosdoshëm të biznesit tonë”.

Kompania Ford njoftoi gjithashtu se do të investojë në një gamë të re motorrash nafte në Dagenham. Ford bëri të ditur se vendimi për të mbyllur fabrikat erdhi “për shkak të krizës së vazhdueshme ekonomike në Europë”, gjë që ka ulur kërkesat për makina në Europën Perëndimore me 20% që prej 2007-s, duke shënuar shitjet më të ulta në 20 vite në këtë rajon.

Parashikohet një humbje prej 1.5 miliard dollarë për Fordin në Europë gjatë vitit 2012.

Modeli Ford Mondeo, nje nga makinat e prodhuara ne Genk te Belgjikes

Modeli Ford S-Max, tipi tjeter i makines se prodhuar ne Genk te Belgjikes

Top Channel