300 marinarë argjentinas kthehen në shtëpi

25/10/2012 10:40

Rreth 300 marinarë argjentinas, që ishin bllokuar për shkak të një përplasjeje që zgjati tre javë në shtetin afrikan të Ganës, janë kthyer në Buenos Aires.

Marinarët u niën në bordin e një avioni të Air France, në një fluturim të organizuar nga qeveria argjentinase. Një ekuipazh mbikëqyrës qëndroi në bord për të vëzhguar transportin.

Anija u ndalua të largohej nga Gana pasi një gjykatë lokale vendosi në favor të një sanksioni të Shteteve të Bashkuara, që thoshte se qeveria argjentinase i detyrohej para.

Fondi amerikan, NML Capital, argumentoi se Argjentina i detyrohej 370 milionë dollarë si rezultat i falimentimit të borxhit të shtetit latin një dekadë më parë.

Pala amerikane kërkon 20 milionë dollarë në këmbim të lirimit të anijes. Një plan i mëhershëm për kthimin e marinarëve në Argjentinë u anulua nga frika se avioni mund të konfiskohej për shkak të debatit mbi borxhin.

Por të mërkurën marinarët hipën në fluturimin për në Buenos Aires, ku mbërritën në orët e para të mëngjesit të së enjtes dhe u pritën nga familjarët dhe miqtë.

Një prej marinarëve, i identifikuar si Ariel Bejarano, tha për BBC se ishte ndjerë i emocionuar që ishte kthyer në atdhe. “Jam i gëzuar që shoh sërish familjen time, por jam edhe i trishtuar për atë që ndodhi atje”, tha Bejarano.

Përveç marinarëve argjentinas, në bordin e avionit kishte edhe marinarë nga Brazili, Kili, Ekuadori, Paraguaji dhe Venezuela.

Top Channel