Ukrainë, arrestohet truproja e ish-presidentit

24/10/2012 18:20

Ish-truproja e ish-presidentit ukrainas Leonid Kuchma është arrestuar nga policia. Mykola Melnychenko ka rënë në pranga në aeroportin e Kievit, ku sapo ishte kthyer nga Nju Jorku.

Melnychenko deklaroi se kishte regjistruar në mënyrë sekrete bisedime që përfshinin ish-shefin e tij në vrasjen mizore të gazetarit Georgiy Gongadze më shumë se 10 vjet më parë.

Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet ukrainase nën akuzat e zbulimit të skereteve shtetërore që prej shtatorit 2011.

Truproja thotë se ka gjithashtu regjistrime që mund të inkriminojnë figura të tjera të rëndësishme politike në Ukrainë. Kthimi i tij në atdhe erdhi vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Ukrainë.

Gazetari Georgiy Gongadze, një kritik i zotit Kuchma, u rrëmbye në shtator të vitit 2000 dhe trupi i tij pa kokë u gjet muaj më vonë në një pyll në afërsi të kryeqytetit.

Vrasja e gazetarit shkaktoi protesta masive në rrugët e qyteteve ukrainase kundër qeverisë së presidentit Kuchma.

Gongadze, që ishte themelues i faqes së internetit Ukrainska Pravda, E Vërteta Ukrainase, kishte denoncuar disa herë korrupsionin në nivelet e larta të shtetit.

Ndërkohë, vitin e kaluar një gjykatë ukrainase shfajësoi nga të gjitha akuzat ish-presidentin Kuchma, që drejtoi vendin mes viteve 1994-2005.

Top Channel