Sudani, akuza Izraelit për shpërthimin

24/10/2012 17:55

Qeveria sudaneze deklaron se është e sigurt se Izraeli është përgjegjës për shpërthimin e madh në fabrikën ushtarake në kryeqytetin e Sudanit, Kartum, ditën e martë.

Zjarri ra në impiantin e Jarmukut dhe përfshiu ndërtesat përreth pas shpërthimit, por për fat të mirë nuk shkaktoi viktima.

Ministri i Informacionit, Ahmed Bilal Osman deklaroi se katër avionë izraelitë sulmoi fabrikën, ndërkohë që Izraeli nga ana e tij nuk i ka komentuar akuzat.

“Katër avionë ushtarakë sulmuan impiantin e Jarmukut. Mendojmë se bombardimi është kryer nga Izraeli”, deklaroi Osman, duke shtuar se avionët vinin nga lindja, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ndërkohë, një zëdhënës i ushtrisë sudaneze, koloneli Al Saëarmi Khalid deklaroi se shpërthimi bëri që zjarri të binte në zonat me bar dhe pemë përreth, duke i zgjeruar flakët në një reze të gjatë.

Sudani ka fajësuar Izraelin për sulme të ngjashme edhe në të kaluarën. Në prill 2011, Khartumi cilësoi shtetin hebre përgjegjës për një sulm ajror që vrau dy persona në një makinë në afërsi të qytetit Port Sudan. Edhe në këtë rast Izraeli nuk e komentoi ngjarjen.

Gjithashtu, shteti i Lindjes së Mesme është fajësuar për një sulm me raketë ndaj një autokolone në veri-lindje të Sudanit në vitin 2009, por edhe në këtë rast ka qëndruar i heshtur.

Top Channel