Diplomati austriak Albert Rohan, dikur ndërmjetës në bisedimet për statusin e Kosovës, ka deklaruar se bisedimet Kosovë-Serbi duhet të fokusohen vetëm tek marrëdhëniet dypalëshe.

Në një intervistë për “Koha Ditore”, Rohan ka thënë se veriu nuk ka nevojë të diskutohet, pasi sipas tij pakoja e Ahtisarit i jep zgjidhje optimale kësaj çështjeje.

“Nuk ka nevojë që plani i Ahtisarit të ndryshojë për të zgjidhur çështjen e veriut, pasi ai u jep autonomi komunave të Kosovës dhe mundësi që ato të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe me Beogradin”, ka thënë Rohan.

Por nga raportimet e fundit të mediave serbe rezulton se platforma e Serbisë në bisedimet me Kosovën do të ketë si pikë kryesore të saj pikërisht veriun e Kosovës.

Presidenca ka hartuar platformën e famshme serbe e cila do të duhej të bashkonte partitë politike lokale rreth kësaj çështjeje që për ta ka një rëndësi madhore.

Vetë kryeministri serb Ivica Daçiç ka përsëritur disa herë qëndrimin e tij se ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme.

“Vazhdoj të mendoj se kjo është zgjidhja më e shpejtë, më e mirë dhe më e drejtë, e cila është e pranueshme edhe për shqiptarët, edhe për serbët, sepse merr parasysh interesat e tyre legjitime”, deklaroi Daçiç më herët gjatë muajit.

Në një intervistë për të përditshmen sllovene “Delo”, Daçiç tha se ky opsion është gjithësesi një qëndrim personal, i cili nuk mund t’i imponohet Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar.

Top Channel