Përdhunimi i 9-vjeçares, fshati e dënon

24/10/2012 20:20

Përdhunimi i një fëmije të mitur në fshatin Kranë, në komunën Mesopotam në Delvinë, ka tronditur gjithë zonën. I akuzuari për përdhunim, shtetasi Pandeli Anagnosti, është arrestuar dhe është në pritje të gjyqit.

I akuzuari bashkjetonte prej 10 muajsh në banesën e tij në fshat me një 30-vjeçare nga Berati dhe 2 fëmijët e saj nga martesa e mëparshme.

Fëmijët ndiqnin shkollën e fashtit, nëna e tyre punonte gjatë ditës në një punishte, ndërsa bujtësi shpenzonte shumë kohë i vetëm me fëmijët, sepse siç thonë fqinjët e tij, ai punonte rrallë dhe vazhdimisht pinte.

Fëmijët enden shpesh të pangrënë nëpër rrugë, thonë bashkëfshatarët, dhe askush nuk e dinte se çfarë ndodhte në atë shtëpi.

“Çfarë thoni? Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë këtu, është shumë e rëndë. Të largohet nga fshati”, thotë një banor i Kranës.

“Nëse e ka bërë këtë gjë, atëherë të shkojë të mbytet, edhe po ta lirojë shteti të shkojë të mbytet. Këtu në fshat mos të vijë se nuk e duam, nuk e pranojmë, ai është për t’u varur këtu tek rrapi”, shprehet një grua e moshuar.

“Ai nuk fliste as me fëmijët e tij. Gruaja e parë i vdiq në Greqi, e sollën andej të copëtuar në shinat e trenit. Fëmijët nuk e duan se vinte vërdallë me shumë gra, por kjo që ka bërë me fëmijët na ka tronditur të gjithëve, më rrënqethet trupi kur e mendoj. Të mos e nxjerrin kurrë nga burgu”, thotë një grua tjetër.

Fshati i vogël në Mesopotam nuk ka rreshtur së foluri për ngjarjen gjatë gjithë ditës. Në mbrëmje vonë Klementina Çaushi, nëna që denoncoi përdhunimin e fëmjës së saj vetëm 9 vjeç, është rikthyer në shtëpi.

Mësojmë çuditërisht prej saj se ka qenë në Sarandë për të mbrojtur njeriun me të cilin bashkëjetonte. Pavarësisht pretendimeve aktuale të 30-vjeçares, ngjarja është denoncuar nga vetë ajo pas shqetësimeve të fëmijës.

Ekzaminimi i parë mjekësor i së miturës në Sarandë konstatoi deforimin e vogëlushes, çka çoi në arrestimin e Anagnostit.

Top Channel