Mashtrimet klasike shqiptare

24/10/2012 17:40

Një kulture si e jona që e mirëpret pasurimin e shpejtë është terreni më i mirë ku mund të mbillet e të lulëzoje mashtrimi.

Skema të pafundme mashtrimi kane parë shqiptarët në këto dy dekada. Nga manipulimet e dokumentave për përvetësime të vogla e deri tek skemat masive piramidale.

Kohët e fundit, skemat që përdorin joshjen po njohin një rritje të konsiderueshme. Në Durrës një i moshuar ra viktime e fotove erotike të bëra për ta shantazhuar.

I moshuari shpëtoi parate pas denoncimit, por jo zbulimin përpara familjareve.
Një metodë tjetër e njohur është premtimi për punë në administratë.

Individë të caktuar që prezantohen si punonjës shtetërorë premtojnë punësime në këmbim të parave. Sigurisht që punësimi nuk ndodh e po aq pak shanse ka rikuperimi i parave.

Duke u sofistikuar kohërat, janë sofistikuar dhe mashtruesit. Në 2009-n u arrestuan 28 persona, të rinj dhe të arsimuar që kishin bërë një goditje prej pothuajse dy milion eurosh duke klonuar karta debiti e krediti e duke tërhequr para të pashqetësuar nga automatet.

Gjithashtu, mashtrimet nëpërmjet internetit kanë njohur një rritje të ndjeshme me njoftime për fitime marramendëse. Jo pak herë policia është detyruar të njoftojë për skema të tilla mashtrimi që qytetarët të parandalojnë vjedhje të cilat janë shumë më të vështira për t’u zbardhur dhe për të rimarrë paratë.

Nuk janë vetëm qytetarët e zakonshëm ata që bien pre e mashtrimeve. Biznesmenë të njohur i kanë dhënë rreth 1 milion euro dy personave që pretendonin se punonin për koorporata të ndryshme amerikane që do t’i ndihmonin për të zgjeruar bizneset e tyre. Çështja është në prokurori.

Në Durrës, një zyrë punësimi ofronte punë në Kazakistan kundrejt dy mijë eurove. Te pakten 20 persona kanë rënë pre dhe tashmë tre drejtuesit janë arrestuar.

Mashtrime me banka, me punësime, me joshje dhe shantazhe. Gjithçka e realizuar me mjeshteri dhe talent, aftësi që të përdorura konform ligjit mbase do t’i bënin mashtruesit po aq të pasur e pa telashe.

Top Channel