Pas tetë vjetësh një ministër i Jashtëm serb vjen në vendin tonë. Ivan
Merkiç zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri duke u takuar fillimisht
me ministrin e Jashtëm shqiptar Edmond Panariti.
Ashtu si edhe kur doli nga aeroporti, kryediplomati serb perdori daljen e emergjences se Ministrisë së Jashtme, dhe jo atë kryesore, për të mos u përballur me një grup protestuesish.
Fillimisht Panariti dhe Merkiç, për më shumë se 20 minuta janë takuar tetë a tetë për të vijuar me një bashkëbisedim të gjerë, ku merrnin pjesë ambasadori shqiptar në Serbi dhe ai serb në Tiranë, i cili nga burime brenda takimit mësohet se është vënë në vështirësi nga çështjet e ngritura nga ministri Panariti.
Gjatë konferencës për shtyp Panariti dha disa detaje se cfarë ishte biseduar.
“Takimi ynë kishte në fokus edhe faktorin shqiptar në Serbinë e jugut. Evidentova gjatë takimit se përmirësimi i gjendjes ekonomike, plotësimi i kërkesave për arsim, informim, përfshirje të këtij komuniteti në proceset vendimmarrëse dhe një mbështetje më e madhe financiare nga shteti serb është ajo që ne presim. Natyrisht kërkova që autoritetet serbe të ndërpresin, të ndahen nga aktet e dhunës ndaj këtij komuniteti”, u shpreh Panariti.
Ministri Panariti në fjalën e tij nuk është kursyer së kujtuari genocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës gjate luftes.
Top Channel: Homologu juaj përmendi fjalën genocid, duka na rikujtuar genocidin që Serbia ka ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës. Kur Serbia do të kërkojë falje për këtë genocid ndaj shqiptarëve në Kosovë?
Merkiç: Jam shumë i emocionuar kur përmendët fjalën genocid. Ne serbët e kemi provuar një gjë të tillë. Kemi interpretime të ndryshme për sa i përket historisë. Duhet t’i referohemi sa më pak kësaj. Këtë t’ja lëmë historianëve dhe njerëzve të shkencës. Ne si qeveri dhe si politikanë do të përpiqemi që të vëmë në plan të parë gjithcka që na bashkon”.
Kjo përgjigje e ministrit Merkiç është shprehje e qartë e vendosshmërisë së Qeverisë serbe për të mos iu referuar te shkuares se afërt dhe të dhimbshme për popullin e Kosovës.
Zoti Panariti shprehu pikëpamjen, se si shteti shqiptar i shikon problemet mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
“Çështjet e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë i konsiderojmë si çështje mes të dy vendeve sovrane,të pavarur, të cilët nëpërmjet dialogut, vullnetit të përbashkët do të përpiqen të zgjidhin të gjitha cështjet që qëndrojnë mes tyre”, tha Panariti.
Kjo deklaratë e ministrit Panariti duket se e minimizon rolin e Tiranës zyrtare dhe synon fatorizimin e mëtejshem te Prishtines zyrtare. Por nderkohe ky qendrim eshte komentuar ne qarqet politike te Tiranes edhe si shenje tolerenace duke mos i kushtezuar marredheniet me serbine me njohjen e Kosoves.
Marrëdheniet Kosove-Serbi kane ndikim te drejtpërdrejt ne rajon në përgjithësi dhe në Shqipëri në vecanti për shkak të rastit ‘sui generis’, që kemi nje komb dhe jeton ne disa shtete.
AK, proteste për Merkiç
Aleanca Kuq e Zi, ashtu sikurse një ditë më parë e priti ministrin serb Merkiç me protesta përpara Ministrisë së Jashtme. Margarita Kola, Sekretare për Marrëdhëniet Kombëtare në Aleancën Kuqezi shprehu shqetësimin për këtë vizitë.
“Vizita e ministrit të Jashëtmn serb është një akt i turpshëm antikombëtar që fyen çdo shqiptar. Ne do të kërkojmë që marrëdhëniet me Serbinë të kushtëzohen me njohjen e Kosovës. Ne i kërkojmë Berishës të japë transparencë maksimale për bisedimet që ka patur Merkiç në Tiranë”, tha Kola.
Merkiç: Zhvillim marrëdhënieve dypalëshe
Kryeministri Berisha priti të martën në takim Ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivan Merkiç. Ministri Merkiç u shpreh se në këtë vizitë ai sillte mesazhin e ndjenjave miqësore të Qeverisë së re serbe për popullin shqiptar.
“Dy kombet kanë jetuar pranë njëri – tjetrit ndër shekuj dhe do të ishte në interesin më të mirë të marrëdhënieve dypalëshe që raportet bilaterale të bazohen në pjesën më të mirë të marrëdhënieve shumë shekullore”, u shpreh Mrkiç, bën të ditur njoftimi i Kryeministrisë.
Ministri theksoi se vërtet ekzistojnë diferenca në marrëdhëniet dypalëshe por këto marrëdhënie në të ardhmen duhet të bazohen në qëllimet e mira të përbashkëta pavarësisht diferencave.
Kryeministri Berisha, nga ana e tij, u shpreh se Qeveria shqiptare është e interesuar për një kapitull të ri marrëdhëniesh pozitive mes dy vendeve dhe se një zhvillim i tillë është edhe në interes të rajonit dhe të qëllimit të përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri gjithashtu theksoi se dallimet mes të dy vendeve nuk duhet të behën pengesa për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe se pavarësisht të shkuarës, e ardhmja e këtyre marrëdhënieve duhet të jetë ajo e miqësisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok si në edukim, kulturë, turizëm, ekonomi.
Në këtë kuadër Kryeministri vlerësoi se përmirësimi i lidhjeve infrastrukturore lehtëson shkëmbimet ekonomike, tregtare, kulturore etj. Kështu ndërtimi i autostradës Nish – Merdarë dhe i një hekurudhe që lidh portet e Shqipërisë me Evropën qendrore do të krijojnë hapësirat të mëdha bashkëpunimi në të ardhmen.
Të dy bashkëbiseduesit u shprehën për nevojën për të rikapur shanset e humbura në të shkuarën dhe se në këtë kuadër është me rëndësi zhvillimi i takimeve në kuadrin e një komiteti ndërqeveritar, i cili do të identifikojë fushat me interes dypalësh.
Merkiç në Tiranë, komente në mediat serbe
Vizita e ministrit të Jashtëm serb, Ivan Merkiç, në Tiranë ka zgjuar interes edhe tek mediat serbe. Shtypi e ka cilësuar këtë vizitë si të rëndësishme dhe të parën prej tetë vjetësh të një ministri të Jashtëm, ndërsa kanë raportuar edhe për takimin me kryeministrin, Sali Berisha.
Ndërkaq, nuk ka kaluar pa u përmendur edhe protesta e organizuar nga Aleanca Kuqezi. “Dhjetëra nacionalistë shqiptarë kanë protestuar në mënyrë të qetë kundër vizitës së ministrit të Jashtëm Merkiç në Tiranë”, shkruan shtypi.
Gazetat theksojnë se Merkiç ka deklaruar se është një vizitë e rëndësishme për të krijuar baza bashkëpunimi, ndërsa thonë se nacionalistët shqiptarë nuk duan që Shqipëria të mbajë marrëdhënie me Serbinë për shkak të Kosovës.
Top Channel