SHBA, rikthehen Ku Klux Klan

23/10/2012 20:20

Një vajzë afroamerikane, 20 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi tre militantë të Ku Klux Klan i kanë vënë asaj zjarrin në qytezën Uinsboro në Luiziana.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, të cilat citojnë të ëmën e vajzës, e quajtur Sharmeka Moffit, që prej së dielës është shtruar në një spital.

“Vajza ka djegie të gradës së tretë në të dy krahët dhe plagë serioze në gjoks dhe tek këmbët. Por krahët në veçanti janë vërtet rëndë”, ka thënë Edna Moffit.

Gruaja ka përgënjeshtruar disa informacione të shtypit sipas të cilave në momentin e agresionit e bija mbante veshur një bluzë me imazhin e presidentit Barack Obama.

Ka qenë vetë viktima që ka dhënë alarmin duke telefonuar policinë, të cilës i ka thënë se ishte sulmuar nga tre persona që mbanin në kokë kapuçët karakteristikë të organizatës raciste.

Vajza ka treguar gjithashtu se fillimisht agresorët e kanë spërkatur me lëng djegës dhe më pas i kanë vënë flakën në mes të parkut të qytezës, në kontenë Franklin Parish të Luizianës, një nga shtetet në jugun e thellë të Amerikës.

Më pas të tre ata kanë dëmtuar dëmtuar makinën e saj duke i shkruar edhe një fyerje si dhe firmën e KKK. Parku ku ka ndodhur ngjarja nuk ka telekamera dhe deri tani nuk është bërë asnjë arrestim.

Pasi ka lajmëruar policinë, Sharmeka është përpjekur të shuajë flakët duke përdorur një shishe me ujë, para se të mbërrinin skuadrat e shpëtimit.

Top Channel