Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimeve që ka pasur me fermerë të rrethit të Tiranës, u ka premtuar pesëfishimin e investimeve në fshat kur PS të vijë në pushtet.
“Ne nuk premtojmë mrekulli, por angazhohemi që së pari të pesëfishojmë investimin e shtetit për fshatin. Dhe me këtë investim të zgjidhim problemin e ujitjes, e kullimit, të ulim koston e prodhimit në mënyrë që të rrisim fitimin dhe interesin për të punuar tokën, duke hequr TVSH-në, duke pasur një skemë të favorshme për naftën dhe duke krijuar rrugët për çuarjen e prodhimit në treg. Një qeveri që nuk bën këto, s’ka lidhje me fshatin”, ka thënë Rama.
Nga ana e tyre, fermerët kanë paraqitur problemet që hasin çdo ditë. “Mungon uji për vaditje, sepse liqeni që shërbente për këtë punë, që prej vitit 1975 kur është ndërtuar, nuk është pastruar më dhe është mbushur me prurjet e përrenjve”, ka thënë një prej tyre.
“Plehrat kimike që përdoren, përveçse janë shumë të shtrenjta, nuk kanë cilësinë e duhur, çka ndikon drejtpërdrejt në rendimentin e tokës dhe cilësinë e prodhimit”, është ankuar një tjetër.
“Çmimet e naftës janë të larta, çka rrit edhe më shumë koston e prodhimeve, të cilat në fund fare është e vështirë të arrish t’i nxjerrësh në treg”, kanë vijuar ankesat.
Ndërsa një burrë i moshuar i ka treguar kreut të opozitës se arrinte të siguronte mbijetesën falë katër djemve të tij që janë në Greqi emigrantë.
Kryesocialisti Rama ka nënvizuar se gjendja aktuale e fshatit është e patolerueshme dhe se PS do ta ndryshojë atë duke e pasur fshatin në qendër të vëmendjes së qeverisë së saj.
“Ne nuk e kërkojmë votën tuaj që të ndryshojmë një kryeministër me një kryeministër më të gjatë dhe as ministrat e tanishëm me disa të tjerë. Ne e kërkojmë votën që të ndryshojmë së bashku këtë gjendje të mjerueshme. Mjafton të kalosh kufirin nga deti dhe toka dhe e kupton që jemi izoluar në një situatë mesjetare në fshat”, ka theksuar Rama.
“Toka që nuk punohen, fermerë të ashtuquajtur që mbjellin jonxhë se nuk kanë fuqi të mbjellin asgjë tjetër, apo mbjellin grurë për të mbushur barkun e familjes se perime nuk shtrojnë dot në tavolinë. Pse u dashka të vijnë ushqimet më lirë nga Maqedonia? Sot edhe bari i thatë vjen nga jashtë. S’ka as bar të thatë, por vetëm propagandë me asfalt dhe rrena, sepse në të dyja anët e asfaltit ka një varfëri dhe një dëshpërim social të patolerueshëm”, ka vijuar ai.
Top Channel