Pippa Middleton po përgatitet për të hedhur në treg librin e saj “Celebrate” në Mbretërinë e Bashkuar, i cili kushton 25 stërlina, teksa pranoi gjatë prezantimit të tij se ngritja e saj meteorike mes yjeve ndërkombëtarë, vetëm për shkak të formave të fundshpinës, të shfaqura gjatë dasmës së motrës Kate me princin William, ka qenë diçka tepër e çuditshme.
“Është tepër e habitshme të arrish një famë globale (nëse kjo është fjala e duhur) përpara të 30-ave vetëm për shkak të motrës, kunatit dhe formave të fundshpinës”, shkruan me një ironi të papërmbajtshme Pippa. Më pas shton: “Ndoshta një ditë do të mund të gjej një shpjegim. Por, momentalisht mund të them vetëm se kjo gjë ka anët pozitive dhe negative të saj”.
Pasi diskutoi rreth promovimit të librit me motrën, Pippa vendosi të mos jepte intervista ekskluzive, në mënyrë që të evitonte vënien në siklet të familjes së tyre. 29-vjeçarja, e cila ka marrë një shumë paraprake prej 400 mijë stërlinash për librin, do të bëjë disa vizita nëpër librari të ndryshme të Britanisë, duke firmosur qindra kopje.
Komentet e para mbi librin, që i shpjegon lexuesve se si të organizojnë festën perfekte në çdo moment të vitit, nuk janë dhe aq entuziaste. Sipas kritikëve, në fakt, këshillat e Pippa-s, e cila punon për ndërmarrjen e familjes “Party Pieces”, e specializuar për shitjen e aksesorëve për festa në rrugë postare, nuk janë dhe aq origjinale.
Top Channel