Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se është e gatshme të takohet me këdo, përfshirë homologun serb Tomisllav Nikoliç, për të mbrojtur interesat e vendit.

“Jam e gatshme të takoj kudo, kurdo dhe këdo, duke përfaqësuar interesat e shtetit dhe të popullit të Kosovës, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Jahjaga, sipas “RTK”.

Deklarata e saj ka ardhur në lidhje me samitin e presidentëve të rajonit që do të mbahet në fund të vitit në Budva të Malit të Zi.

Presidenti malazez, Filip Vujanoviç ka njoftuar se në këtë samit do të ftojë si presidentin serb Nikoliç, ashtu edhe presidenten e Kosovës, Jahjaga, duke shprehur shpresë për pjesëmarrjen e të dyve.

Një ditë më parë, zonja Jahjaga i dha mbeshtetje pa rezerva kryeministrit Hashim Thaçi dhe qeverisë së tij në proçesin e dialogut me Serbinë, duke e konsideruar atë si alternativën e vetme.

Në një komunikatë për media, zyra e presidentes Jahjaga njoftoi për takimin e përbashkët mes saj dhe kryeministrit Thaçi paraditen e së hënës.

“Kryeministri Thaçi e njoftoi presidenten Jahjaga për takimin e zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, në kuadër të proçesit të dialogut mes dy vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me përkrahje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

Sipas njoftimit, Jahjaga e konsideron dialogun jo vetëm si rrugën më të mirë, por si alternativën e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete sovrane dhe si fqinj që kanë pasur një të kaluar të hidhur.

Top Channel