Armstrongut i kërkojnë të kthejë paratë

23/10/2012 00:15

Pas vendimit të UCI (Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit), që i hoqi zyrtarisht 7 titujt e fituar në “Turin e Francës” nga 1999-2005, Lance Armstrong-ut i është kërkuar të kthejë mbrapsht 7.5 milionë dollarë firmës së sigurimit nga Teksasi.

“SCA Promotions” mbuloi shpenzimet në formë bonusi të dhëna ndaj amerikanit, pasi triumfoi për herë të 6-të në “Tour de France” në 2004-n.

Përfaqësuesi ligjor i SCA-së, Jeffrey M. Tillotson, u shpreh për “BBC Sport”: “Do të bëjmë një kërkesë zyrtare për rikthimin e parave”. Më pas shtoi: “Nëse kjo nuk do të rezultojë me sukses, atëherë do të nisim proçedim ligjor ndaj Armstrong brenda 5 ditëve, duke nisur nga e hëna, 29 tetor”.

Në atë kohë, SCA-ja refuzoi t’i paguante bonuset, me arsyetimin se Armstrong nuk ishte një çiklist i pastër nga akuzat. Por, amerikani ndërmori hapa ligjore ndaj kompanisë dhe fitoi, sepse kontrata mes të dyja palëve nënvizonte se paratë do të jepeshin nëse Armstrong do të shpallej “fituesi zyrtar” i Turit nga 2004-2006.

Tillotson shtoi: “Kjo nuk është një ditë e gëzueshme për klientin tim, por ai mendon se Lance Armstrong e kërkoi (e meriton) vet këtë reagim”.

Presidenti i UCI, Pat McQuaid, kishte theksuar më parë se “çiklizmi ka të ardhme dhe në këtë të ardhme nuk ka vend për sportistë si Lance Armstrong” duke ratifikuar kështu heqjen e shtatë titujve “Tour de France”. “Lance Armstrong nuk ka më vend në çiklizëm, duhet harruar përgjithmonë”, u shpreh McQuaid.

Organizatorët e Turit të Francës pritën vendimin e UCI për të fshirë emrin e çiklistit amerikan nga regjistri i fituesve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA