Armstrong fshin Turet nga arritjet e tij

23/10/2012 18:15

I turpëruar publikisht, Lance Armstrong, hoqi të martën çdo referencë nga profili i tij në “Twitter” për shtatë Turet e Francës të fituara prej tij, pasi Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit i anulloi zyrtarisht sukseset e tij të dielën.

Prova të pakundërshtueshme provuan më parë se 41-vjeçari kishte orkestruar ndër vite programin më të fshehtë dhe të sofistikuar të dopingut në historinë e sportit, ndërsa faktet u mbështetën edhe në dëshmitë e 11 shokëve të skuadrës ndër vite, që ishin kërcënuar me shkatërrimin e karrierës, nëse nuk merrnin edhe ata substanca dopuese.

Në statusin e ri të modifikuar prej amerikanit, tashmë lexohet vetëm: “Lance Armstrong, baba i pesë fëmijëve, luftëtar kundër kancerit, notar, çiklist, vrapues dhe lojtar golfi kur mundem”.

Teksani, i cili në rrjetin shoqëror ka 3,8 milionë ndjekës, nuk është prononcuar ende zyrtarisht që prej heqjes së të gjithë titujve të fituar në 14 vjet karrierë.

41-vjeçari, pas demaskimit të mashtrimit të tij, tashmë përballet me mundësinë e ngritjes së akuzave penale, për dëshmi të rreme kur mohoi në një gjykatë amerikane se ishte dopuar nën betim dhe rrezikon të humbë një pjesë të mirë të pasurisë prej 100 milionë dollarësh, pas padive që po ngrenë sponsorët ndaj tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA