Përplasja mes policisë së Kosovës dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje duket se ka vazhduar edhe në Qendrën Klinike Universitare, këtu ku ndodhet e shtruar në gjendje kome një shtetase gjermane e cila ishte sjellë nga vendi i protestës së Vetëvendosjes.
 

Personeli i sigurimit të QKUK-së ndaloi ekipet televizive të xhirojnë në ambientet e qendrës emergjente. Mjekët përgjegjës po kështu nuk pranuan të komentojnë për gjendjen e gjermanes e cila rezulton të mos ketë qenë fare pjesë e protestës.
 
Bashkëshorti i saj Arben Krasniqi i cili është herë pas here në kontakt me mjekët thotë se gjendja e saj është e rëndë. Sipas tij mjekët dyshojnë për sulm në zemër.
 
Ende nuk janë sqaruar rrethanat e këtij rasti i cili duket se ka shqetësuar policinë e Kosovës. Familjarët kritikojnë forcat e rendit se kanë hyrë në dhomën e reanimacionit duke kërkuar informacione të panevojshme në kohën kur pacientja ishte në rrezik për jetën. Për shendetin e shtetases gjermane u interesua  edhe Ambasada gjermane e cila dërgoi përfaqësuesit e saj në QKUK.
 
Megjithatë shtetësja gjermane, sikurse bashkëshorti i saj Arben Krasniqi janë të afërm të dy anëtarëve të lëvizjes Vetëvendosje, deputetes Albulena Haxhiu si dhe aktivistit Alban Krasniqi i cili u arrestua në QKUK e më pas u lirua.

Policia e Kosovës mohon deklaratat e Vetëvendosjes për ndërhyrje në QKUK, Baki Kelani arsyetoi të drejtën e policisë për t’u interesuar për gjendjen shëndetësore të ndonjë pacienti.

Top Channel