Humbja 2-4, aq më keq kur ishin në avantazh 2-0, ndaj Romës në ndeshjen e mbrëmjes së dielë, nuk është kapërdirë nga drejtuesit e skuadrës së Xhenoas që kanë vendosur të zgjidhin njëanëshmërisht kontratën me trajnerin Gigi De Canio.
Në deklaratën e dhënë në fund të takimit, De Canio sikur e parandjeu vendimin e presidencës xhenoveze, teksa u shpreh i zhgënjyer me skuadrën e tij dhe mënyrën se si u soll në fushë.
“Duhet t’u kujtoj djemve se ndeshjet nuk zgjasin vetëm 15 minuta, sidomos kur kundërshtarët përballë kanë në organikë kampionë. Është e patolerueshme që humbëm përqendrimin në fushë dhe lëshuam aq shumë. Kemi shumë të rinj dhe skuadra ka ende disa vështirësi”, deklaroi De Canio.
Në fakt vështirësitë nuk do të jenë më përgjegjësi e tij. Tashmë ato do të rëndojnë mbi supet e Gigi Del Nerit që e njeh mirë ambientin xhenovez pasi ka drejtuar rivalët e Sampdorias duke i udhëhequr ata në zonën e Ligës së Kampioneve, një sezon para se të niste aventurën e tij të dështuar në Torino me Juventusin.
Sa për statistikë, De Canio bëhet trajneri i katër i pushuar nga puna në tetë javë të Serisë A. Më parë, vendime drastike ndaj numrave një të pankinës kanë marrë Palermo, Kaljari dhe Kievo.
Top Channel